RECENTLY VISITED
CONTACT INFO
  • Address:
  • Phone:
  • Email:

Procedurat ppara gjykats

Procedurat ppara gjykats

Çdo person ose grup personash që pretendojnë se ndaj tyre është ushtruar diskriminim për një nga shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji, mund të paraqesin kërkesëpadi përpara gjykatës kompetente sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Civile për dëmshpërblim sipas ligjit ose, sipas rastit, të kryejnë kallëzimin përpara organeve kompetente për ndjekje penale.  Paraqitja e ankimit përpara komisionerit nuk është kusht për të paraqitur një kërkesëpadi dhe nuk përbën pengesë për personin e dëmtuar t’i drejtohet gjykatës ose organeve të ndjekjes penale. Një organizatë me interes të ligjshëm ose komisioneri mund të paraqesë padi në emër të një personi ose grupi personash, me kusht që komisioneri ose organizata të ketë pëlqimin me prokurë të posaçme ose me deklarim përpara gjykatës të personit ose grupit të personave të dëmtuar nga diskriminimi. 

Padia i paraqitet gjykatës kompetente nga një prej subjekteve të parashikuara mw sipwr, jo më vonë se 5 vjet nga dita që ka ndodhur sjellja e pretenduar diskriminuese dhe jo më vonë se 3 vjet nga dita që i dëmtuari merr dijeni për këtë sjellje.  I dëmtuari nuk ka detyrim të njoftojë Komisionerin para se të paraqesë një padi për diskriminim në gjykatë. Gjykata e njofton Komisionerin për paraqitjen e çdo padie për diskriminim. Gjykata mund t’i kërkojë Komisionerit, në çdo fazë të procedimit, që të paraqesë një mendim me shkrim, rezultatet e hetimit të tij, në qoftë se është bërë hetimi, ose çdo informacion tjetër që ka rëndësi për çështjen. 

Paditësi ka detyrim të sjellë prova në mbështjetje të padisë, duke përdorur çdo lloj prove të ligjshme që mund të provojë sjelljen diskriminuese. Pasi paditësi paraqet prova, mbi të cilat bazon pretendimin e tij dhe në bazë të të cilave gjykata mund të prezumojë sjelljen diskriminuese, i padituri detyrohet të provojë se faktet nuk përbëjnë diskriminim sipas këtij ligji. 

Vendimi i gjykatës cakton dëmshpërblim nëse gjykata vendos që ka shkelje të këtij ligji, duke përfshirë edhe një afat kohor për kryerjen e zhdëmtimit. Vendosja e masave, sipas këtij ligji, nuk përjashton vendosjen e masave sipas ligjeve të tjera. Dëmshpërblimi përfshin, ndër të tjera, ndreqjen e shkeljeve ligjore dhe të pasojave të tyre përmes kthimit në gjendjen e mëparshme, kompensimin e duhur për dëmet pasurore si dhe jopasurore, ose përmes masave të tjera të përshtatshme.