Aktivitete Ndërgjegjësuese

23.04.2013. Aktivitet i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Bashkinë Elbasan

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi  në kuadrin e fushatës së ndërgjegjësimit të shoqërisë me Ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi” dhe veprimtarinë e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi organizoi me 23.04.2013 një aktivitet të zgjeruar në Bashkinë Elbasan.
Në takimin me Kryetarin e Bashkisë Elbasan, z. Sejdini, u rikonfirmua bashkëpunimi i deritanishëm mes dy institucioneve. Z.Sejdini informoi përfaqësuesit e Zyrës së  Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbi programet e bashkisë për mbështetjen e integrimit të grupeve vulnerabël.
Znj. Baraku parashtroi drejtimet kryesore dhe prioritetet e veprimtarisë së institucionit. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet vendore për të garantuar trajtimin e barabartë dhe jodiskriminues të çdo qytetari.
Më pas u organizua një takim i gjerë me komunitetin dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Bashkinë Elbasan. Përveç informimit mbi diskriminimin, llojet, fushat e mbrojtjes që garanton ligji dhe rolin e Komisionerit në mbrojtjen nga sjelljet diskriminuese, iu kushtua vëmendje e veçantë rolit të shoqërisë civile dhe rëndësisë së bashkëpunimit. Specialistët e zyrës  morën ankesat e qytetarëve të pranishëm.

Sektori i Marrëdhënieve me Publikun