Në ambjentet e Zyrës së KMD- së, u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Irma Baraku dhe përfaqësuesit të Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri, z. Amarildo Pecanji, përmes së cilës u formalizua bashkëpunimi i nisur që nga krijimi i institucionit të KMD- së.
Përmes kësaj marrëveshjeje palët angazhohen: për bashkëpunimin për ofrimin e një shërbimi të plotë ligjor, për çështjet e denoncuara nga përfaqësuesit dhe çdo anëtari rë komunitetit LGBT të cilët kanë nevojë për asistencën e Komisionerit, organizimin e fushatave të përbashkëta sensibilizuese dhe trajnimeve, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen nga diskriminimi, shkëmbimin e ekspertizës për përmirësimin e legjislacionit ekzistues me qëllim përfshirjen e masave të reja që garantojnë trajtimin e barabartë dhe eliminimin e parashikimeve diskriminuese nga legjislacioni aktual në fushën e të drejtave të personave LGBT.
Palët u zotuan se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për ekzekutimin sa më efektiv të të gjitha detyrimeve të marra përsipër prej tyre, nisur dhe nga synimi i përbashkët për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Zyra e Marrëdhënieve me Publikun