Duke iu bashkuar urimeve pa fund të kësaj dite, dëshiroj t’i uroj të gjitha gratë Gëzuar 8 Marsin, ditën e festës për ngadhënjimin e forcës dhe vitalitetit të saj, ditën e protestës për çdo shfaqje të padrejtësive dhe pabarazisë ndaj saj.
Ju jeni ato që i jepni jetën çdo kombi, shtyllat që mbani në këmbë familjet, ato që i përkushtoheni mbarëvajtjes së punëve të këtij vendi dhe meritoni nderimin pa fund të fëmijëve, bashkëshortëve dhe kolegëve tuaj.
Ju jeni ato që sot mund të krenoheni për hapat e zhvillimit që keni arritur. Përfshirja në jetën publike ka bërë të mundur realizimin e të drejtave të grave në përgjithësi, përmes kontributit në vendimarrje për të përmirësuar legjislacionin ekzistues, për të hartuar politika në favor të realizimit të barazisë gjinore në fusha të ndryshme si: edukim, punësim apo shërbimet që ofrohen.
Duke shprehur impenjimin e vazhdueshëm të institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të trajtuar me përparësi sjelljet diskriminuese dhe në veçanti atë me bazë gjinore vlerësojmë se ka rëndësi të veçantë:
Marrja e masave pozitive që synojnë vendosjen e barazisë faktike mes burrave dhe grave jo vetëm në përfaqësimin politik, por në çdo aspekt të vendimarrjes.
Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe në familje si shfaqje ekstreme e diskriminimit.Trajtimi i dhunës ndaj grave dhe në familje kërkon një zbatim rigoroz të ligjit dhe ofrim të shërbimit bazuar në standarte ndaj viktimave të dhunës, duke kërkuar funksionimin e plotë të mekanizmit të referimit të dhunës.
Mbrojtja nga diskriminimi gjinor në sektorin ekonomik përmes ndërgjegjësimit të komunitetit të grave dhe punëdhënësve mbi detyrimin për trajtimin e barabartë dhe mosdiskriminues në marrëdhëniet e punës në mënyrë që të realizohet fuqizimi ekonomik i gruas.
Përpjekjet për barazi janë të vazhdueshme dhe po njohin një angazhim kolosal të vetë grave, por edhe të organizatave ndërkombëtare që barazinë gjinore e kanë bërthamën e agjendave të tyre në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Le t’i bashkohemi të gjithë si individë, familje, institucione dhe shoqëri në tërësi këtij koalicioni mbarëbotëror.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi