Të nderuar qytetarë

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 04.02.2010 miratoi ligjin Nr. 10 221, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u krijua bazuar në këtë ligj si institucion i pavarur në ushtrimin e detyrës, që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjeve politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzënisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, gjendjes shëndetësore, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë, ose për çdo shkak tjetër.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me Vendimin Nr. 33, datë 22.04.2010, “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi” zgjodhi zonjën Irma Baraku në këtë detyrë, si dhe me vendimin Nr. 34, datë 20.05.2010 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi” miratoi strukturën, organikën dhe kategorizimet e punës së zyrës së Komisionerit duke mundësuar kështu funksionimin dhe fillimin e punës së kësaj zyre.

Krijimi i këtij institucioni erdhi si iniciative e shoqërisë civile që hartoi draftin e ligjit, si rezultat i kërkesave të BE për hapat që duhet të bënte Shqipëria për progres në procesin e integrimit evropian, dhe pasqyroi angazhimin e autoriteteve Shqiptare drejt respektimit të të drejtave të njeriut, barazisë dhe mosdiskriminimit.

Veprimtaria e Komisionerit realizohet nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga  administrata publike, por edhe nga subjektet private. Gjithashtu, Komisioneri realizon hetime administrative pas marrjes së informacionit të besueshëm për shkelje të këtij ligji, dhe bën sondazhe dhe monitorime për nivelin e zbatimit të ligjit. Procedurat  e hetimit administrativ pasohen nga rekomandime dhe në rast të moszbatimit të tyre vendosen edhe sanksione sipas parashikimeve ligjore. Te gjitha këto shoqërohen me aktivitete që synojnë informimin dhe sensibilizimin e komunitetit, organeve të administratës publike dhe subjekteve private për të nxitur parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit.