Aktivitete Ndërgjegjësuese

Takim i Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi me Studentët e Drejtesisë në UET

  Më datë 24 prill 2012, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi Znj. Irma Baraku zhvilloi një leksion të hapur me studentët e Drejtësisë në Universitetin Europian të Tiranës ku është folur për situatën aktuale në vend lidhur me diskriminimin. Pas hyrjes në fuqi të ligjit ndaj diskriminimit në maj të 2010-ës, qytetarët shqiptarë që bëhen viktima të sjelljeve diskriminuese mund të ankohen në zyrën e Komisionerit për mbrojtjen nga Diskriminimi, institucion që ka për qëllim rivendosjen e së drejtës së mohuar.

    Komisionerja u shpreh se pas paraqitjes së ankesës, zyra e merr atë në shqyrtim duke ndjekur të gjithë hapat proçedurialë, për të vendosur në fund nëse subjekti apo grupi i subjekteve ka qenë viktimë e sjelljes diskriminuese. “Ligji i jep mundësinë institucionit që të kërkojë informacione nga të gjitha institucionet dhe subjektet private”, – pohoi Baraku, duke shtuar se ky institucion ka të drejtën e dhënë prej ligjit të hetojë edhe subjektet private. Madje, çdo i punësuar pranë një kompanie private është i lirë të ankohet nëse e gjen veten viktimë të diskriminimit nga punëdhënësi.

 Në rastet kur ka sjellje diskriminuese, ligji nuk ka karakter represiv, pasi thelbi është rivendosja e së drejtës së individit. Që do të thotë se hapi i parë është dhënia e rekomandimit që synon rivendosjen e së drejtës. Në rast se nuk zbatohet, ligji parashikon mundësinë e dhënies së sanksioneve, që vijojnë nga gjoba deri tek heqja e liçencës së aktivitetit –për subjektet private. Nëse brenda 7 ditëve ky rekomandim zbatohet, sanksioni anulohet”, -sqaroi para studentëve të Drejtësisë në UET, Znj. Irma Baraku.

Gjatë aktivitetit u shperndanë dhe disa materiale të botuara nga institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si broshurë mbi ligjin, formulari i ankesës dhe broshurë informative mbi ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi” në fushën arsimit (për sistemin arsimor parauniversitar).

Aktiviteti 24 prill 2012 UET