Më datë 25 prill 2012, pranë ambienteve të Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi u zhvillua një trajnim me anëtarë të shoqatave egjyptiane: “Sfinksi” dhe shoqata “Vëllazërimi”. Znj. Adriana Hala, këshilltare e Komisioneres bëri hapjen e takimit dhe prezantimin e pjesëmarrësve.
Znj. Kaliro Martiko specialiste pranë Drejtorisë së Çeshtjeve Proçeduriale, Ligjore dhe Marrëdhënieve me Jashtë dha një vështrim të përgjithshëm mbi Ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Më pas Znj. Blerina Pirani specialiste pranë Drejtorisë së Çeshtjeve Proçeduriale, Ligjore dhe Marrëdhënieve me Jashtë prezantoi rolin dhe kompetencat e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Z. Arjan Lile kryetar i shoqatës “Sfinksi” parashtroi disa nga problematikat e hasura më shpesh në komunitetin egjyptian. U parashtruan raste të sjelljeve diskriminuese tek nxënësit e shkollave 9 – vjeçare, të cilat frekuentohen nga fëmijë të këtij komuniteti, veçanërisht dhunë psikologjike dhe fizike nga nxënësit e tjerë. Por, nuk përjashtohen as rastet e sjelljeve diskriminuese të mësuesve ndaj nxënësve të këtij komuniteti.
Në fund të takimit Znj. Irma Baraku, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi u ofroi anëtarëve të shoqatave mbështetjen e institucionit për bashkëpunim të mëtejshëm.
Aktiviteti 25 prill 2012 me shoqatat Sfinksi dhe Vëllazërimi