Në kuadër të aktiviteteve të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri si mbështetje e nismave për integrimin e njerëzve me aftësi të kufizuara në Shqipëri, Prezenca organizoi një Konferencë mbi Ditën për Informimin e Rinisë në datë 11 qershor 2012, ku prezantoi përfundimet dhe rekomandimet e studimit pilot “Sfidat me të cilat përballen të rinjtë me aftësi të kufizuara në Shqipëri”, i cili është financuar nga Prezenca e OSBE-së.
Komisioneria për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Znj. Irma Baraku, pjesëmarrëse në Konferencë, në fjalën e saj u ndal në parashikimet ligjore që mbrojnë personat me aftësi të kufizuara nga sjelljet diskriminiuese, por dhe detyrimin e marrjes së masave pozitive në fushën e arsimit dhe punësimit.
Nga ana tjetër, mbrojtja e personave me aftësi të kufizuar është vendosur në qendër të veprimtarive të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Një ndër objektivat specifikë të institucionit është rritja e ndërgjegjësimit mbi problematikën e e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha fushat për të cilat ligji ofron mbrojtje dhe krijimi i lehtësive për të realizuar mbrojtjen nga sjelljet diskriminuese përmes ankesave pranë Zyrës së Komisionerit.
Komisioneria Znj. Irma Baraku vijoi duke përmendur veprimet që do të ndërmerren nga Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ajo theksoi se monitorimi në fushën e të mirave dhe shërbimeve si dhe në fushën e arsimit për PAK dhe propozimi i rekomandimeve është një ndër veprimtaritë e zyrës. Këto do të shoqërohen me organizimin e aktiviteteve, si konferenca apo tryeza të rrumbullakëta, me përfaqësues të personave me aftësi të kufizuara, botimin e materialeve informuese si broshura, katalogë dhe manuale për grupe specifike dhe sipas formave të përshtatura për PAK.
Një tjetër veprimtari e zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të jetë identifikimi dhe bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi, për shkak të aftësisë së kufizuar.
Sfidat me të cilat përballen të rinjtë me aftësi të kufizuara në Shqipëri
27
May