Aktivitete Ndërgjegjësuese

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP), zhvilloi Ditë të Hapura takimesh me autoritetet vendore dhe qytetarët e Durrësit

Durrës – Lezhë, 24 – 25 shtator 2012 – Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP), zhvilloi Ditë të Hapura takimesh me autoritetet vendore dhe qytetarët e Durrësit dhe Lezhës për t’i informuar ata për të drejtat që u burojnë nga Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Gra e burra, të moshuar, të rinj e të reja, persona me aftësi të kufizuara, pjesëtarë të komuniteteve rome dhe egjiptiane nga këto dy qytete u takuan me Komisioneren Irma Baraku për të dëgjuar shpjegimet e saj dhe të ekspertëve që e shoqëronin lidhur me format e ndryshme që mund të marrë diskriminimi për njerëz të ndryshëm, përfshi edhe diskriminimin gjinor.
Në takime u diskutua edhe rreth mbështetjes që Komisionerja Baraku mund të ofrojë për qytetarët që kanë pësuar diskriminim, si dhe se si mund t’i drejtohet çdo qytetar e qytetare institucionit të Komisioneres për të kërkuar dhe vënë në vend të drejtat e veta të shkelura.
“Jam sot këtu, – tha Komisionerja Baraku në Durrës në takimin e zhvilluar në mjediset e qendrës komunitare “Sor për të ardhmen”, – për t’ju thënë se dera jonë është e hapur për ju. Mbrojtja nga diskriminimi nuk është thjesht një e drejtë individuale, por edhe një detyrim i organizmave shtetërore dhe i të gjitha palëve të interesuara për të kontribuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.”
Në këto bashkëbisedime të hapura mes Komisioneres dhe qytetarëve të Durrësit dhe Lezhës, ata patën mundësi të bëjnë pyetje lidhur me diskriminimin, të njihen më mirë me të drejtat e tyre si dhe të marrin një këshillim të drejtpërdrejtë për të përpiluar dhe paraqitur ankesa në rast diskriminimi.
Me mbështetjen e UNDP-së, Komisionerja Baraku dhe Kryetarët e Bashkive të Durrësit dhe Lezhës, respektivisht z.Vangjush Dako dhe z.Viktor Tushaj, nënshkruan edhe marrëveshjet e bashkëpunimit për një zbatim më të mirë të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe lehtësimin e punës së institucionit të Komisioneres në nivel vendor.
Dita e Hapur kundër diskriminimit, zhvilluar në qytetet e Durrësit dhe Lezhës, ishte takimi i radhës në kuadër të një turi kombëtar që Komisionerja ka ndërmarrë për ta bërë të njohur këtë institucion të rëndësishëm për mbrojtjen nga diskriminimi në çdo cep të Shqipërisë.
Zyra e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi është ngritur në vitin 2010 dhe është thellësisht e angazhuar në rritjen e ndjeshme të ndërgjegjësimit të qytetarëve si dhe të përfaqësuesve të administratës publike lidhur me mundësitë që ofron Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Çdo grua ose burrë, si dhe OJF-të që përfaqësojnë grupe qytetarësh që janë diskriminuar për shkak të gjinisë, ose për çdo shkak tjetër, ka të drejtë të bëjë ankesë tek Komisionerja, pavarësisht nëse shkelja është bërë nga nëpunës shtetërorë apo nga individë a kompani private. Ajo ofron një shërbim të shpejtë, efektiv dhe mbi të gjitha pa asnjë pagesë. Me një status të pavarur, Komisionerja përfaqëson interesat e qytetarëve duke i përkrahur ata në përballjen me diskriminimin.

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi organizon Ditën e Hapur kundër diskriminimit në qytetet e Durrësit dhe Lezhës