Aktivitete Ndërgjegjësuese

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi znj Irma Baraku zhvilloi sot një takim informues me gazetarët

Tiranë, 15 tetor 2012 – Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi znj Irma Baraku zhvilloi sot një takim informues me gazetarët me qëllim vendosjen e një komunikimi të vazhdueshëm me median si partnere e rëndësishme në luftën kundër diskriminimit.
“Unë desha te theksoj se zyra e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi e konsideron median dhe rolin e saj si të pazëvendësueshëm në përpjekjen tonë të përbashkët për  rritjen e ndërgjegjësimit rreth çështjeve të diskriminimit dhe mënyrave për t’i trajtuar e zgjidhur ato”,- tha Komisionerja Baraku.
Gazetarë të mediave të ndryshme, të pranishëm në takim, përfituan nga rasti për të njohur më nga afër rezultatet e punës së Kommisoneres si edhe disktuan gjerësisht rreth kuadrit ligjor mbi diskriminimin, cështjeve të barazisë gjinore e të drejtave të njeriut në përgjithësi.
Ky takim i organizuar nga Komisonerja Baraku u mbështet nga Programi i Barazisë Gjinore dhe kundër Dhunës me Bazë Gjinore të UNDP-së në Shqipëri.
Zyra e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi është ngritur në vitin 2010 dhe është thellësisht e angazhuar në rritjen e ndjeshme të ndërgjegjësimit të qytetarëve si dhe të përfaqësuesve të administratës publike lidhur me mundësitë që ofron Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Çdo grua ose burrë, si dhe OJF-të që përfaqësojnë grupe qytetarësh që janë diskriminuar për shkak të gjinisë, ose për çdo shkak tjetër, ka të drejtë të bëjë ankesë tek Komisionerja, pavarësisht nëse shkelja është bërë nga nëpunës shtetërorë apo nga individë a kompani private. Ajo ofron një shërbim të shpejtë, efektiv dhe mbi të gjitha pa asnjë pagesë. Me një status të pavarur, Komisionerja përfaqëson interesat e qytetarëve duke i përkrahur ata në përballjen me diskriminimin.

 SEKTORI I MARRËDHËNJEVE ME PUBLIKUN