Aktivitete Ndërgjegjësuese

Zbatimi i ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”

19.12.2016. KMD organizoi konferencën  me temë:  Zbatimi i ligjit  “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Konferenca synoi të tërhiqte vëmendjen e institucioneve, shoqërisë civile, mediave dhe organizmave ndërkombëtarë përzbatimin e së drejtës për mbrojtje nga diskriminimi, arritjeve dhe sfidave në këtë fushë të bëra gjatë këtyre viteve . Të pranishëm në këtë Konferencë ishin Z.David Muniz, Zv/Ambasadori i  Kombëve të Bashkuara në Shqiperi; Z. Jan Rudolph, Drejtor  i  Seksionit të Politikave, Delegacioni i Bashkimit Europian në  Shqipëri;  Znj. Tea Jaliashvili, zyra e Këshillit të Europës në Shqipëri, Z.Ermir Kapedani, Komisioner pranë Avokatit të Popullit, Znj. Entela Lako  PNUD.
Znj. Irma Baraku vuri në dukje se institucioni që ajo drejton trajton dhe mirëpret çdo ankesë dhe problematikë që vjen pranë tij dhe se ka punuar gjatë këtyre viteve për ndërgjegjësimin e individëve, komuniteteve, institucioneve apo subjekteve private që mund të bëhen subjekte diskriminuese. Z. David Muniz vlerësoi institucionin e Komisionerit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore të njeriut, barazisë dhe mosdiskriminimit. Z. Rudolph foli rreth diskriminimit në Shqiperi, nevojës për përmirësimin e Ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi” dhe konfirmoi mbështetjen e projekteve për luftën kundër diskriminimit. Znj. Lako foli rreth bashkëpunimeve të bëra gjatë këtyre viteve me Komisionerin, duke rritur kapacitetin e stafit si dhe duke ndergjegjsuar publikun rreth institucionit të KMD-së duke specifikuar që kjo gjë vërtetohet nga rritja e numrit të ankesave për çdo vit si dhe të konsolidimit të vendimeve të Komisionerit. Znj. Tea Jaliashvili foli rreth rritjes të efektivitetit të drejtësisë si dhe  bashkëpunimeve të bëra me institucionin e KMD-së dhe Avokatit të Popullit duke falenderuar znj. Baraku dhe stafin e saj për të gjitha bashkëpunimet e bëra. Z. Ermir Kapedani falenderoi Komisioneren për bashkëpunimet e bëra me zyrën e Avokatit të Popullit.
Më pas, konferenca ka vijuar me diskutimet me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët sollën modele pozitive të trajtimit të çështjeve për diskriminimin të trajtuara nga Zyra e Komisionerit në bashkëpunim me shoqërinë civile, por edhe problematikat dhe vështirësitë e ndeshura në zbatimin e ligjit.