Me datë 15 Prill 2013, znj. Irma Baraku, Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mori pjesë në aktivitetin me temë: “Fuqizimi ekonomik i personave me aftësi të kufizuara”, organizuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Fabrikës “Mirësia”, Vorë. Në kuadër të zbatimit të këtij projekti, FSHDPAK ka punuar për të influencuar në përmirësim dhe nxitje të zbatimit të legjislacionit nga institucionet përgjegjëse si dhe në ndërgjegjësimin e punëdhënësve për të drejtën për punësim të tyre dhe detyrimin ligjor që punëdhënësit kanë për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Në takim u shpërndanë edhe çertifikatat për kursantët pjesëmarrës në kurset e këshillimit pranë FSHDPAK.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka pasë një bashkëpunim të vazhdueshëm me FSHDPAK, përmes pjesmarrjes së stafit në veprimtari trajnuese të stafit të zyrave të punës dhe inspektoriateve të punës, hartimit të “udhëzues për përshtatjen e arsyeshme”, pjesmarrjes në seminare dhe konferenca.
Sektori i Marrëdhënieve me Publikun