Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda priti në një takim anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe nënkomisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarëve, z. Ulsi Manja dhe znj. Vasilika Hysi.
Komisioneri Gajda vlerësoi angazhimin e Kuvendit për të monitoruar dhe inspektuar institucionet e pavarura përmes një mekanizmi që konsolidon llogaridhënien dhe transparencën. Ndihma substanciale e Kuvendit për zyrën e KMD është mirëpritur jo vetëm brenda kornizës institucionale, por edhe me shtimin e shërbimit të mbledhjes së ankesave, promovimi të barazisë dhe ndërgjegjësimit për luftën ndaj diskriminimit në terren, posaçërisht me zyrat rajonale.
Kryetari i komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, z. Ulsi Manja vlerësoi ndryshimet dhe arritjet e këtij institucioni duke u treguar i gatshëm për të vijuar bashkëpunimin si në drejtim të përmirësimit të ligjit, qoftë edhe në përmbushje të nevojave të tjera institucionale, buxhetore dhe burimesh njerëzore.
Ndërsa Zëvendëskryetarja e Kuvendit, njëherësh edhe kryetare e nënkomisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, znj. Vasilika Hysi vuri në dukje faktin që Komisioneri adreson çdo rekomandim, pa pritur raportin e fundvitit. Znj. Hysi njoftoi Komisionerin që Kuvendi ka pranuar dhe publikuar rekomandimet e Equinet-it, të përcjella nga vetë institucioni në fjalë, si edhe rekomandoi vëmendje në procesin e zbatimit të strategjisë së edukimit ligjor në zyrat rajonale.
Deputetët e Komisionit të Ligjeve vizitë në KMD
27
May