Deklaratë pë shtyp

Komisioneri Gajda nxiti organet ligjzbatuese të ndjekin rastin e dhunës së shumëfishtë ndaj Sibora A.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi  denoncon me forcë dhunën ndaj gruas dhe nxit strukturat e Policisë së Shtetit dhe tw Prokurorisë të nisin menjëherë hetimet për rastin e znj. Sibora A., e cila me shumë kurajo dëshmoi për dhunë sistematike fizike, psikologjike e seksuale ndaj personit të saj, në emisionin e Zemër të hapur në News24, nga një sërë personash.

Zbardhja e plotë dhe e shpejtë e rrethanave ndaj dhunës çnjerëzore ndaj gruas, të dhunës në familje e pasojave të më pasme, duke marrë çdo informacion, indicie e dokumentim për rastin është me interes të lartë publik.   

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bashkia Tiranë duhet të interesohen sa më shpejt për çështjen e Znj. Sibora A., pasi kanë një sërë detyrimesh në lidhje me këtë rast të ekspozuar, që rrjedhin nga zbatimi i konventave dhe ligjeve për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Sipas dëshmive publike të Znj.Sibora kemi të bëjmë me dhunim të integritetit të saj fizik, moral, psikologjik, seksual, social dhe ekonomik të një gruaje përgjatë një dekade dhe si pasojë nevojitet një përkujdesje psikologjike, sociale dhe ekonomike nga një sërë institucionesh. Gjithashtu një përkujdesje tepër të veçantë kërkojnë edhe tre fëmijët e Znj.Sibora

Komisioneri  për Mbrojtjen nga Diskriminimi e konsideron shkeljen flagrante të dinjitetit të personit si një vepër penale që duhet marrë dënimin e merituar, njëkohësisht duke i garantuar viktimës dhe fëmijëve të saj të gjitha shërbimet sociale dhe mundësitë ekonomike për një jetë dinjitoze, në zbatim të ligjeve në fuqi:     

Konventa e Stambollit;

Konventa për eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW);

Kodi Penal

Ligji nr. 9669 datë,18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar;

Ligji nr.111/ 2017, “Për Ndihmën juridike të Garantuar nga Shteti”;

Ligji Nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji Nr. 22/2018, “Për Strehimin Social”; 

Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi.