Lajme

Deklaratë për shtyp 13 gusht 2020

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi po ndjek me shqetësim situatën në pikën kufitare të Kakavijës, që për shkak të marrjes së masave anti COVID19, ka shkaktuar vonesa e vështirësi në kalimin e qytetarëve shqiptarë në Republikën e Greqisë.

Radhët e gjata, temperaturat e larta dhe mungesën e shërbimeve të higjenës e ndjejnë më shumë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe njerëzit me probleme me shëndetin.

Në këtë kontekst, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit Ministrinë e punëve të Brendshme dhe të Jashtme të marrin masa pozitive të përkohshme për familjet që kanë në brendësi këto kategori, për kalimin e menjëhershëm të kufirit.

Po kështu, ministritë të ndërmjetesojnë me autoritetet greke për rritjen e numrit të personave që kalojnë kufirin, për t’iu përgjigjur situatës së pazakontë në pikën kufitare të Kakavijës.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson rëndësinë e masave pozitive të përkohshme, në përputhje me protokollet e OBSH për luftimin e pandemie COVID19, për të gjetur një pikë mirëkuptimi me qytetarët dhe autoritetet.