Ditën e premte, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me mbështetjen e Un Women organizuan prezantimin e gjetjeve të raportit: Barazia gjinore dhe diskriminimi në organet e emëruara të pushtetit vendor.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, deklaron se në rang vendi bashkitë nuk e kanë zbatuar kuotën gjinore prej 30% që i kërkohet nga ligji. Nga të dhënat rezulton se gratë mbajnë vetëm 15% të pozicionit si administratore.
Në prag të zhvillimit të zgjedhjeve vendore 2019 Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kërkuar që të zbatohet ligji për barazinë gjinore.
Pas një studimi ka rezultuar se gratë kanë nivel shumë të ulët përfaqësimi në pozicionet drejtuese vendore.
Përmendim këtu faktin që vetëm 15 % e pozicionit si administrator mbahen nga gratë ndërkohë që edhe në pozicionin e zv.kryetarëve bashkiakë mbizotërojnë meshkujt.
Gajda i bëri thirrje institucioneve vendore që të zbatojnë ligjin i cili i detyron që 30% e pozicioneve drejtuese të zotërohen nga gratë.
Ky është studimi i parë që bëhet për përfaqësimin e gruas në pushtetin vendor por sipas Komisionerit problem mbetet edhe informacioni që ofrojnë njësitë vendore.
Studimi u mbështet nga UN Women në Shqipëri.