Lajme

Deklaratë e KMD mbi dy rastet e gjuhës së urrejtjes online ndaj bashkatdhetarëve

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda përshëndet veprimin e Policisë së Shtetit për të hetuar e referuar në prokurori dy rastet e gjuhës së urrejtjes online për shkak të besimit fetar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë të bëra publike në media.

Harmonia dhe toleranca ndërmjet besimeve fetare të kultivuar në shekuj është gurthemeli i fuqisë së popullit tonë, që duhet ruajtur me krenari dhe në respekt  të ligjeve.

Gjuha e urrejtjes në vendin tonë po shënon rritje shqetësuese në rrjetet sociale dhe KMD synon të bashkëpunojë me institucionet për të parandaluar dhe ndrequr këto shprehje diskriminuese që cënojnë dinjitetin e njeriut.

Më herët, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka dënuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes në incidente të përsëritura në stadiume për shkak të përkatësisë etnike dhe racore, të fyrjes së grupeve vulnerabël si rom dhe egjiptian,  si dhe përfaqësues të komunitetit LGBTI në mediat  sociale.