Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi (në vijim LMD) ofron mbrojtje në tre fusha: punësim, arsim dhe në të mira e shërbime.

MBROJTA NGA DISKRIMINIMI NË PUNËSIM

Në nenin 12 të LMD-së, ndalohet diskriminimi i personit në lidhje me të drejtën e tij për punësim, i cili përfshin çdo dallim, kufizim ose përjashtim që bazohet në shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji dhe që, ndër të tjera, ka lidhje me:

a) shpalljen e vendeve të lira të punës;

b) rekrutimin dhe përzgjedhjen e punëmarrësve;

c) trajtimin e punëmarrësve në vendin e punës, duke përfshirë trajtimin e tyre gjatë vendosjes ose ndryshimit të kushteve të punës, shpërblimin, përfitimet dhe mjedisin e punës, trajtimin lidhur me trajnimet profesionale ose gjatë procesit disiplinor apo lidhur me pushimin nga puna ose zgjidhjen e kontratës së punës;

ç) anëtarësinë në sindikata dhe mundësinë për të përfituar nga lehtësitë që siguron kjo anëtarësi.

MBROJTJA NGA DISKRIMINIMI NË FUSHËN E ARSIMIMIT

Neni 17 i LMD-së, parashikon se, ndalohet çdo dallim, kufizim ose përjashtim që bazohet në shkaqet e përmendura në nenin 1 të LMD-së dhe që, ndër të tjera, ka lidhje me:

a) krijimin e institucioneve publike ose private që ofrojnë shërbime arsimore ose profesionale;

b) financimin e institucioneve publike që ofrojnë shërbime arsimore ose profesionale;

c) përmbajtjen e parimeve dhe kritereve të veprimtarisë arsimore, duke përfshirë programet mësimore dhe metodat e mësimdhënies;

ç) trajtimin e studentëve ose nxënësve, duke përfshirë pranimin, vlerësimin, zbatimin e masave disiplinore ose përjashtimin e tyre.

Ndalohet t’i refuzohet një personi ose një grupi personash pranimi në një institucion arsimor publik, për shkaqet e përmendura në nenin 1 të LMD-së.

Ndalohet çdo lloj shqetësimi, veçanërisht shqetësimi seksual, i studentëve, nxënësve dhe punëmarrësve në institucionet arsimore.

NDALIMI I DISKRIMINIMIT NË FUSHËN E TË MIRAVE DHE TË SHËRBIMEVE

Personi fizik ose juridik që ofron të mira apo shërbime për publikun, me pagesë ose jo, ndalohet të diskriminojë një person tjetër, i cili kërkon t’i arrijë ose t’i përdorë ato:

a) duke refuzuar t’i japë një personi apo grupi personash të mira apo shërbime për shkaqet e përmendura në nenin 1 të LMD-së;

b) duke refuzuar t’i ofrojë një personi të mira apo shërbime në mënyrë të ngjashme, ose me cilësi të ngjashme, ose në kushte të ngjashme me ato në të cilat këto të mira apo shërbime i ofrohen publikut në përgjithësi.

Këto ndalime zbatohen, veçanërisht për:

a) mundësi për të hyrë në një vend ku publiku lejohet të hyjë ose për të përdorur një vend, i cili lejohet për t’u përdorur nga publiku;

b) mundësi për të marrë ose për të përfituar nga të mirat apo shërbimet që kanë të bëjnë me shëndetin;

c) kontributin dhe mundësinë për të përfituar të mira nga skemat e mbrojtjes shoqërore, duke përfshirë asistencë sociale, sigurime shoqërore, mbrojtje të fëmijëve, përfitim për shkak të aftësisë së kufizuar, apo ndonjë skemë tjetër të mbrojtjes sociale ose avantazh tjetër social të ofruar për publikun;

ç) mundësi për të përdorur ose për të hyrë në një institucion arsimor;

d) sistemimin në një vend ku ofrohet strehim;

dh) shitjen ose dhënien me qira të banesave dhe të mjediseve të tjera;

e) shërbimet e bankës dhe mundësi për të siguruar grante, huadhënie, depozita bankare ose financim;

ë) lehtësi për argëtim, çlodhje e freskim;

f) lehtësi për transport ose udhëtim;

g) shërbimet e profesioneve të lira.

Ndalohet për një person fizik ose juridik, që ofron të mira dhe shërbime për publikun, të mos pranojë ose të kundërshtojë realizimin e ndryshimeve ose përshtatjeve të nevojshme dhe të duhura, të cilat synojnë të mundësojnë përfitimin e këtyre të mirave dhe shërbimeve nga një person me aftësi të kufizuara, për sa kohë që këto modifikime apo përshtatje nuk imponojnë një barrë të shpërpjesëtuar ose të paligjshme mbi personin që ofron të mirat dhe shërbimet.