Lajme

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda zgjidhet anëtar i Bordit Ekzekutiv të Equinet me një mandat dy vjeçar.

Lidhur me Equinet

Equinet është Rrjeti Europian i Organeve të Barazisë, i cili promovon barazinë në Europë duke mbështetur organet e barazisë për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar barazi për të gjithë. Nëpërmjet Equinet, anëtarët e saj, institucione kombëtare barazie, sikundër është dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndajnë dhe shkëmbejnë ekspertizën e tyre në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit, në nivel evropian si dhe mësojnë nga sukseset e arritura dhe sfidat me të cilat përballen, gjatë zbatimit të mandatit të tyre në nivel kombëtar.

Objektiv kryesor i Rrjetit është mbledhja e informacionit dhe krijimi i njohurive të reja mbi barazinë dhe mosdiskriminimin që para së gjithash mund të ndihmojnë anëtarët të përmirësojnë më tej praktikën e tyre në nivel kombëtar. Kjo njohuri vjen nga vetë anëtarët dhe përvoja e zbatimit të mandatit të tyre në nivel kombëtar.

Çdo vit, organizohet Mbledhja e Përgjithshme Vjetore (AGM) e Equinet për të diskutuar dhe marrë vendime për çështje të rëndësishme si dokumentet strategjik, raportet e aktiviteteve, aderimi i anëtarëve të rinj. rinovimi i anëtarëve të Bordit të saj Ekzekutiv etj.

Strukturat e Equinet, të cilave u është deleguar menaxhimi i përgjithshëm i aktiviteteve, janë Bordi Ekzekutiv dhe Sekretariati i Equinet.

Bordi Ekzekutiv është organi menaxherial i rrjetit dhe konkretisht është përgjegjës për menaxhimin e përgjithshëm dhe udhëheqjen strategjike të Equinet. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga nëntë përfaqësues të anëtarëve të Equinet të zgjedhur për një mandat dy vjeçar nga Asambleja e Përgjithshme e anëtarëve dhe kryesohet nga një Kryetar. Ai punon për të mbështetur punën e anëtarëve të Equinet dhe pozicionimin e tyre në nivel evropian dhe është përgjegjës për mbikëqyrjen e zhvillimit dhe zbatimit të planeve të punës. Ai gjithashtu synon zhvillimin e vizioneve strategjike për të garantuar fuqinë, rritjen dhe qëndrueshmërinë e Rrjetit. Ai gjithashtu mbikëqyr punën e Sekretariatit të Equinet, i cili është përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve të planifikuara ndërmjet anëtarëve, duke kontribuar në rëndësinë unike të përvojës së organeve kombëtare të barazisë.

Më shumë rreth Bordit Ekzekutiv të Equinet mund të lexoni në link:

https://equineteurope.org/equinet-at-a-glance/how-we-work/executive-board/