Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është institucion publik i pavaruar, i cili është krijuar dhe funksionon në zbatim të Ligjit nr. 10 221 datë 04.02.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, në përputhje me Direktivat e BE në fushën e mosdiskriminimit.

Komisioneri zgjidhet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Komisioneri mbështetet nga Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Kuvendi vendos për pagën e Komisionerit, strukturën organizative dhe klasifikimin e pagave për punonjësit e Zyrës së Komisionerit.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është autoriteti përgjegjës, që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi, si dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin. Komisioneri mbështet punën e tij në zbatimin e të gjitha mekanizmave ligjorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kryen hetim administrativ duke konkluduar  me vendimmarrje. Është në tagrin e tij të vendosë rregullimet dhe masat e duhura për ndreqjen e situatës dhe për të rivendosur në vend të drejtën e mohuar të subjektit, ardhur si pasojë e diskriminimit të konstatuar. Komisionieri vendos ndëshkimin me gjobë të subjektit përgjegjës për diskriminim në rast mos zbatimi të vendimeve të tij.

Njëkohësisht, Komisionieri bën rekomandime, monitorime, sondazhe dhe aktivitete ndërgjegjësuse që lidhen me çështjet e diskriminimit dhe promovimit të barazisë.

Të gjitha institucionet publike dhe subjektet private janë të detyruara të mbështesin Komisionerin në përmbushjen e detyrave të tij, veçanërisht duke dhënë informacionin që i nevojitet për kryerjen e funksioneve.