Ndërprerja e energjisë elektrike dhe mosfurnizimi me energji elektrike të familjeve të pamundura ekonomikisht përbën diskriminim.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka ndërmarrë disa veprime institucionale, me vendime, rekomandime dhe duke kryer studime të cilat theksojnë se energjia elektrike është shërbim thelbësor që duhet të garantohet për çdo person në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që për çdokënd të garantohet një jetesë dinjitoze.
Mosgarantimi i energjisë elektrike për personat dhe familjet e pamundura ekonomikisht cenon dinjitetin e tyre duke i mohuar të drejtën për shëndet, të drejtën për strehim, të drejtën për arsim, të drejtën për informim, të drejtën për të qenë qytetarë me të drejta të barabarta.
KMD i bën thirrje Këshillit të Ministrave që miratojë sa më shpejt “Statusin e Klientit në Nevojë” si një e drejtë tashmë e njohur me Ligj.
Gjithashtu, i bën thirrje OSHEE dhe të gjitha agjensive përbërëse të saj që të mos ndërpresin energji elektrike në asnjë moment dhe të garantojnë furnizimin me energji elektrike në çdo moment për të gjitha familjet e pamundura pa diskriminim.
KMD
28/01/2022