Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” dhe legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë, e vendosin Komisionerin në një raport të gjerë me Gjykatën, duke parashikuar kompetenca përsa i takon pjesëmarrjes së institucionit në proceset gjyqësore.

Çdo person ose grup personash, të cilët mendojnë se janë diskriminuar, për një nga shkaqet e përcaktuara në Nenin 1 të Ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, mund t’i drejtohen, në mënyrë të pavarur nga njëri – tjetri:

  • Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
  • Gjykatës, me anë të një kërkesë-padie

Paraqitja e një padie pranë gjykatës, për një sjellje diskriminuese të pretenduar, mund të bëhet jo më vonë se 5 vjet nga dita kur ka ndodhur kjo sjellje dhe jo më vonë se 3 vjet nga dita e marrjes dijeni të saj.

Gjykata njofton Komisionerin për paraqitjen e çdo padie për diskriminim dhe mund t’i kërkojë Komisionerit, në çdo fazë të procedimit, informacion, mendim me shkrim, apo rezultatet e hetimit, kur ka bërë një hetim për çështjen.

  • Komisioneri mund të paraqesë padi përpara gjykatës, në emër të një personi apo grup personash, vetëm me pëlqimin e tyre, referuar Nenit 34, pika 3 të Ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.
  • Komisioneri si palë e paditur në Gjykatë: Vendimet e dhëna nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, janë të ankimueshme në Gjykatë, në rastet kur kërkohet shfuqizimi apo pavlefshmëria e vendimeve të KMD-së.
  • Komisioneri si person i interesuar/palë e tretë: Ligji parashikon detyrimin e Gjykatës për të njoftuar Komisionerin për paraqitjen e çdo padie për diskriminim (Neni 36, pika 3) dhe ka të drejtë t’i kërkojë Komisionerit, që në çdo fazë të procedimit, të paraqesë një mendim me shkrim, rezultatet e hetimit të tij, në qoftë se është bërë hetimi, ose çdo informacion tjetër që ka rëndësi për çështjen. KMD thirret në gjykim nga Gjykata kompetente si palë e tretë, në çështje ku kërkohet drejtpërdrejtë konstatimi i diskriminimit dhe dëmshpërblimi për diskriminim në gjykatë.
  • Komisioneri ka të drejtë të vendosi në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Ndryshimet Kushtetuese të vitit 2016 i kanë dhënë të drejtën KMD-së për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, duke sanksionuar, ne nenin 134, se “Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të: … (e) çdo Komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta”.
  • Komisioneri si kërkues i drejtohet Gjykatës kompetente me kërkesa për lëshimin e Urdhrave të Ekzekutimit, për vendimet me gjobë të Komisionerit.

PROCEDURAT PËRPARA GJYKATËS PËR DËMSHPËRBLIM

 Çdo person ose grup personash që pretendojnë se ndaj tyre është ushtruar diskriminim, për një nga shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji, mund të paraqesin kërkesëpadi përpara gjykatës kompetente, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Civile për dëmshpërblim, sipas ligjit ose, sipas rastit, të kryejnë kallëzimin përpara organeve kompetente për ndjekje penale.

Kur gjykata vendos që ka shkelje të Ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, ajo cakton dëmshpërblim për ndreqjen e këtyre shkeljeve, si dhe vendos afatet për kryerjen e zhdëmtimit.

Dëmshpërblimi përfshin, ndër të tjera, ndreqjen e shkeljeve ligjore dhe të pasojave të tyre përmes kthimit në gjendjen e mëparshme, kompensimin e duhur për dëmet pasurore si dhe jopasurore, ose përmes masave të tjera të përshtatshme.

Çdo person mban përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e tij, për kryerjen e një sjelljeje diskriminuese, por përgjegjësia individuale nuk e përjashton përgjegjësinë e shtetit apo të personit juridik privat.

Vendosja e masave, sipas këtij ligji, nuk përjashton vendosjen e masave sipas ligjeve të tjera.